Presidenti i Letonisë, Edgars Rinkēvičs, po qëndron për një vizitë zyrtare dyditore në Kosovë, ku pritet të takohet me udhëheqësit e vendit dhe të diskutojë për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, shkruan Katror.info.
Në kuadër të vizitës, Policia e Kosovës ka njoftuar se do të ndërmarrë masa sigurie për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike gjatë lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit të delegacionit letonez. Si pjesë e këtyre masave, do të ketë ndërprerje të përkohshme të trafikut në disa segmente rrugore, në intervale të shkurtra kohore, sidomos në zonat ku do të lëvizë eskorta dhe pranë objekteve shtetërore ku do të zhvillohen takimet zyrtare. Trafiku do të riorientohet përmes rrugëve alternative.
Policia ka kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik, duke theksuar rëndësinë e këtyre masave për garantimin e sigurisë dhe mbarëvajtjen e vizitës.
Gjatë kësaj vizite, pritet që Presidenti Rinkēvičs dhe liderët e Kosovës të diskutojnë çështje të sigurisë, bashkëpunimit ekonomik dhe mbështetjes së Letonisë për integrimin euroatlantik të Kosovës./Katror.info