A mundesh me mendu me nejt një ditë pa u interersu për çështje të politikës?
Po një muaj?
Po një vit?
Eh na në Katror Media i mbushëm rrafsh një vit që se kemi kthy kryt kah politika, por kemi zgjedhë me ju sjellë diçka ndryshe, diçka për të cilën bash unë, ti edhe shoqnia shqiptare ka nevoje – Platformën e Lajmeve të Mira që deri sot numëron 13 328 artikuj/lajme të publikuara, që të gjitha në frymën pozitive 🙂
E kemi fillu me këtë artikull E para Kosova! për me e çel jo një shteg, por një rrugë – rrugë të gjatë që nuk ka fund, por ama udhëtimi është i bukur!
Edhe sot kur po shkruaj në mendje është E para Kosova, kështu edhe do të jetë përgjithmonë sepse ndryshe nuk ka kuptim.
Pse do të thoni ju…
Qe pse – përgjatë këtij viti që të gjithë ne kemi mujt me u marrë me diçka krejt tjetër që ma shpejt na bjen fitime e ndoshta edhe me mendu me ‘ik’ prej vendit tonë… Por, jo na kemi zgjedhë me nejt e me kontribu çdo ditë e me i sjellë shqiptarëve gjana të mira me pa e me lexu, bash qato që kam nevojë unë, ke nevojë ti e edhe shoqnia jonë!
Por, t’i kthehemi gëzimit e festës pak, se mendoj unë, e këtu flas edhe në emër tuajin, kemi për çka me u g’zu e për çka me festu.
Qysh në fillim e kemi nis mirë e që të gjithë na keni shkru e përgëzu për idenë fantastike e të qëllume. Kurrë s’kam me i harru mesazhet e para që i kemi marrë prej lexuesve të parë e besnikë nga Prishtina, Tirana, Shkupi e Tetova, Presheva e Ulqini t’u përfshi edhe diasporën tonë, shqiptarët e suksesshëm nëpër Evropë e përtej Atlantikut 🙂
Kjo ka qenë si me thanë motivi kryesor që zbehi përnjëherë dyshimet e mia se kjo platformë, e juaja tashmë, është në kohën e duhur apo edhe ‘a ia kemi qëllu me idenë e realizimin’ për të vazhduar me dyshimet që mo nuk vlejnë se ‘a ka të ardhmë’ platforma e parë dhe e vetme e Lajmeve të Mira në gjuhën shqipe.
Sot me krenari mundem me thanë që po, ka të ardhme, dhe e ardhmja është shumë bright ashtu sikur edhe lajmet tona të publikuara, ashtu sikur edhe qasja e secilit që punon në Katror Media, ashtu sikur që jeni edhe ju, që shtoheni çdo ditë e bashkoheni me ne, ashtu si duam ta shohim Kosovën tonë, pra bright e plot jetë!
Këtë e verteton numri i madh i artikujve të lexuar, që kap shifrat milonëshe e që vjen prej një audience tashmë shumë të gjerë gjithandej nëpër rrjetet sociale dhe platformes online.
Këtë e vërteton edhe fakti që Katror Media tashmë ka afër vetes shumë bashkëpunëtorë, shumë njërëz të dashur e profesionistë të këtij vendi dhe audiencë të gjerë e shumë besnike!
Këtë e verteton edhe fakti që vetëm brenda vitit të parë Katrori jonë e i juaji ka mbërri me qenë partner medial i organizimeve me karakter global, Festivaleve të Filmit e atyre zbavitëse. Kemi shkruar e transmetuar drejptërdrejt tek miliona shqiptarë ngjarje kulturore, sportive, aktualitet e ngjarje të mira që kanë ndodhë në vend. Kemi qenë prezent në manifestimet shkollore ku qindra vogëlushë kanë përqafuar gazetarët tanë e i kanë thanë dy fjalë të mira para objektivit tonë, fjalë të gëzimit e përplot dashuri, tamam qysh jemi ne, tamam qysh kemi qef me ndi e me pa çdo ditë, tamam qysh janë vet’ fëmijët plotë shpresë për të ardhmen, tamam qysh është Katror Media që sot mbushi një vjet!
Këtë e vërteton edhe fakti që tashmë në rubrikën tonë të Aktivizmit Qytetar kemi mbërri me ua transmetu zërin tek miliona shikues shumë aktivistëve që bëjne punë shembullore, por në heshtje, sepse të tjerët në këtë moçal mediatik i kanë kthyer sytë andej kah e kaluara e errët që nuk e len anën e mirë të shoqërisë tonë të dal në pah.
E ne jemi t’u e bo bash të kundërtën pra t’u e shpërnda anën e mirë tanden e tuajën, që çdo ditë e ma shumë na jep shpresë që këtu jetohet e mund të punohet ndershëm!
Por, tash nuk do të jeni në heshtje, tash e keni një adresë ku puna juaj e mirë shihet e promovohet – ajo është dhe do të jetë gjithmonë katror.info, Katrori YT!
Një gjë tashmë është shumë e qartë, Katror Media nuk është për një përdorim, kjo shtëpi mediatike ka një mision. E misioni ynë është me e bo vendin tonë ma të mirë!
Gëzuar pra viti i parë i mirë! #katrorista
#skamunal 🇽🇰 🟩