Artistët: Elia Kalogianni, Gjorgji Despodov, Kristina Janjić, Sofia Dimova e Valdrin Thaqi kanë punuar së bashku për të sjellur ekspozitën “Visibility Horizon” e cila është kuruar nga Ana Frangovska. Kështu ka bërë të ditur në Facebook, Galeria 17, në të cilën do të shfaqet kjo ekspozitë përgjatë periudhës 23 janar deri më 22 mars të këtij viti, raporton Katror.info.
Artistët e kësaj ekspozitë janë nga vende të ndryshme të Ballkanit si: Bullgaria, Greqia, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Serbia.
“Punimet e tyre, të realizuara në media të ndryshme, nga instalacioni tek imazhi lëvizës, video animacion, punimet transdisiplinore, eksplorojnë problemet e ndryshme të transmetimit të informacionit dhe njohurive dhe ndërmjetësimin e tyre në shoqëritë e sotme bashkëkohore, nga përballja me Realitetin, tek konsumimi i së Vërtetës së rreme ose të riformuar që vjen nga pjesë të ndryshme të habitusit tonë socio-politik”, shkruan Galeria 17 në një postim në rrjetin social Facebook.
Ky projekt thuhet të jetë i mbështetur edhe nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe SMART Balkans./Katror.info