Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” është renditur i pari në rajon dhe i shtati në Evropë për nga rritja e numrit të pasagjerëve, sipas raportit të fundit të ACI Europe. Ky vlerësim e pozicionon aeroportin e Prishtinës në mesin e aeroporteve me rritjen më të shpejtë në kontinent.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë vitit të kaluar Aeroporti i Prishtinës ka shërbyer mbi 4.6 milionë udhëtarë, duke shënuar një rritje prej 13 për qind krahasuar me vitin paraprak. Këto shifra pasqyrojnë një rritje të qëndrueshme të kërkesës për udhëtime ajrore dhe zhvillimin e vazhdueshëm të tregut.
Përveç performancës në shifra, edhe qytetarët janë shprehur të kënaqur me shërbimet e ofruara, duke vlerësuar organizimin, efikasitetin dhe korrektësinë e stafit.
Zyrtarët e aeroportit e konsiderojnë këtë renditje si një tregues të qartë të potencialit afatgjatë, por edhe si një sfidë për forcimin e mëtejmë të rrjetit ajror, rritjen e kapaciteteve dhe konsolidimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës si një nyje rajonale e besueshme dhe konkurruese./RTK/Katror.info










