Transporti ajror në Shqipëri po përjeton një rritje të qëndrueshme, si në numrin e fluturimeve, ashtu edhe të pasagjerëve.
Sipas INSTAT, gjatë tremujorit të dytë 2025 operuan 29 shoqëri ajrore në hapësirën ajrore shqiptare.
Gjatë kësaj periudhe u regjistruan 110.073 fluturime, nga të cilat 83,2% ishin mbikalime, ndërsa 18.458 ishin fluturime të drejtpërdrejta.
Numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar me linja ajrore arriti në 3.052.511, me një rritje prej 6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rritje ka pasur edhe volumi i mallrave dhe postës, i cili arriti në 798,6 tonë, duke u rritur me 42,4% në terma vjetorë.
Tendenca pozitive është konfirmuar edhe në ditët e para të gushtit, ku Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës regjistroi për herë të parë mbi 51 mijë pasagjerë të procesuar brenda 24 orëve. Pas një korriku rekord me afro 1,3 milionë pasagjerë, TIA vazhdon të shfaqë një rritje të qëndrueshme prej 9% krahasuar me vitin 2024.
Këto zhvillime tregojnë rritjen e kërkesës për transport ajror dhe e vendosin Shqipërinë në një trajektore pozitive për investime të mëtejshme në infrastrukturë dhe logjistikë aeroportuale./RTSH/Katror.info