Ray Charles, Led Zeppelin, Neil Young, Aretha Franklin dhe një listë e gjatë artistësh të tjerë me ndikim u zbuluan nga Ahmet Ertegun – një njeri emri i të cilit është i njohur vetëm për një përqindje të vogël të dashamirëve të muzikës, megjithëse rëndësia e tij ishte në fakt shumë e madhe.
Ahmet Ertegun lindi më 31 korrik 1923 në Stamboll të Turqisë. Në moshën dymbëdhjetë vjeç, ai u transferua në Uashington me babain e tij ambasador në Amerikë.
Dashuria e Ertegun për muzikën e tërhoqi atë në zemër të Uashingtonit, distriktin me afriko-amerikanë në Uashington DC, ku ai do të vizitonte në baza të regullta performanca të tilla si Duke Ellington, Cab Calloway, Billie Holiday dhe Louis Armstrong. Ai ndoqi shkollën Landon, një shkollë private e për të pasur në Maryland. Por Ahmeti thoshte se arsimimin e tij të vërtetë e ka fituar në Teatrin Howard.
Teatri Howard ishte i njohur për shërbimin e klientelës afrikano-amerikane dhe kishte qenë mikpritës i shumë prej artistëve të mëdhenj të muzikës zezake të fillimit dhe mesit të shekullit të njëzet.
Pavarësisht edukimit të tij të pasur, Ertegun filloi të shihte një botë ndryshe nga bashkëmoshatarët e tij të pasur. Ertegun më vonë do të thoshte: “Fillova të zbuloja pak situatën e zezakëve në Amerikë dhe përjetova ndjeshmëri të menjëhershme me viktimat e një diskriminimi kaq të pakuptimtë, sepse, megjithëse turqit nuk ishin kurrë skllevër, ata konsideroheshin si të padëshiruar dhe diskriminuar brenda botës perendimore për shkak të historisë, dallimeve fetare dhe kulturore.”
Pas diplomimit në Kolegjin St. John në Annapolis, më 1947 ai themeloi etiketën e pavarur diskografike Atlantic Records. Kompania bëri sukseset e saj të para kur ndjeu potencialin e R&B dhe filloi të popullarizojë zhanrin. Shumë shpejt, Jerry Waxler, një gazetar muzikor me ndikim dhe producent i aftë iu bashkua labelit Atlantic Records.
Big Joe Turner, Ruth Brown dhe mbi të gjitha Ray Charles, u zbuluan nga Ahmet Ertegun personalisht. Ai gjithashtu shkroi hitin e parë “Mess Around”.

Ertegün është po ashtu autor i një numri të mirë këngësh që më vonë gjetën rrugën e tyre në repertorin, e për shembull, Big Joe Turner dhe B.B. King. Këngët si Chains of Love ose Sweet Sixteen janë nënshkruar me një pseudonim. A. Nugetre, (Ertegun mbrapsht).
Në vitin 1955, Ahmeti solli vëllanë e tij Nasuhi në Atlantic Records (i cili kryesisht merrej me xhazin dhe solli në Atlantic personalitete si John Coltrane ose Charles Mingus) dhe së bashku me Waxler filluan të ndërtonin një perandori muzikore që së shpejti do t’i jepte tonin më ndryshe të gjithë botës muzikore. Në vitet 1960, Atlantic, shpesh në partneritet me labelet lokale si Stax Records në Memphis, ndihmoi në zhvillimin e rritjes së muzikës Soul, me artistë si Ben E. King, Solomon Burke, Otis Redding, Sam and Dave, Percy Sledge, Aretha Franklin dhe Wilson Pickett.
Sapo Ertegun dëgjoi një demo të Led Zeppelin në fund të viteve 1960, ai e kuptoi menjëherë potencialin e grupit dhe menjëherë i nënshkroi ata me Atlantic dhe kështu kontruboi në krijimin e zhanrit Hard Rock i ndikuar nga bluesi.

Ai gjithashtu e bindi supertrion e folk-rokut Crosby, Stills & Nash që të sillte Neil Young në bend. Është e vështirë të gjesh një zhanër të cilin Ertegün nuk e ka përsosur. Suksesi i tij i radhës ishte, për shembull, zbulimi i The Rascals dhe dyshes popullore Sonny & Cher. Sot e gjithë bota e njeh suksesin e Cher.
Ai gjithashtu nënshkroi Cream me Eric Clapton dhe Bee Gees për Atlantic. Ndër të tjera, Ahmeti ishte një negociator i shkëlqyer, sepse gjatë një takimi personal e bindi Mick Jagger që t’ia besonte Atlantikut distribucionin e labelit Rolling Stones Records, edhe pse kompani të tjera ofruan shuma më të larta.

Më 1983 Ahmet Ertegun themelon “Rock and Roll Hall Of Fame”, institut i cili për çdo vit pranon personalitete nga bota e muzikës dhe reth saj për kontributin e tyre në zhvillim dhe përparimin e Rock Muzikës. Biblioteka dhe Arkivat e Sallës së Famës dhe Muzeut të Rock and Roll-it sot janë depoja më e plotë në botë e materialeve që lidhen me historinë e Rock and Roll-it. Biblioteka dhe Arkivat janë të vendosura në një ndërtesë në Kampusin Metro të Kolegjit Komunitar Cuyahoga në Distriktin e Kampusit të Cleveland.
Në vitin 1987 Ertegun dekorohet në Rock & Roll Hall of Fame, themelues i së cilës ishte edhe ai vetë, për meritat e tij në fushën e industrisë muzikore.
Në fund të viteve 1980, me mbështetjen e Bonnie Raitt Blues performere me ndikim dhe të tjerëve, ai siguroi 1.5 milionë dollarë për të ndihmuar në themelimin e Fondacionit Rhythm and Blues për t’i dhënë para artistëve të bluzit të paguar dobët. Ndër marrësit e hershëm të pagesave ishin John Lee Hooker, Bo Diddley, Johnny “Guitar” Watson, Ruth Brown dhe Staple Singers. Në vitin 1988 Ertegun mori çmimin Golden Plate të Akademisë Amerikane të Arritjeve.
Ertegun mori një doktoraturë nderi në muzikë nga Kolegji i Muzikës Berklee në Boston në vitin 1991, dhe iu dha çmimi “Grammy Trustees Award” për arritjet e tij jetësore në industrinë e muzikës më 1993. Me rastin e dhjetë vjetorit të “Rock and Roll Hall of Fame” më 1995, u shpall se salla kryesore e ekspozitës së muzeut do të mbante emrin e tij.
Biblioteka e Kongresit të Shteteve të Bashkuara e nderoi Ertegun si një “Living Legend” (Legjendë të gjallë) në vitin 2000. Me vëllanë Nesuhi, ai u përfshi në Sallën Kombëtare të Famës së Futbollit në vitin 2003. Vëllezërit Ertegün nuk ishin thjesht adhurues të muzikës. Ata themeluan klubin e futbollit New York Cosmos, e menaxhuan për një kohë dhe e kthyen në një ekip ëndrrash kur sollën Pele, Franz Beckenbauer dhe Julio Cesar Romero.

Në vitin 2005, Akademia Kombëtare e Arteve dhe Shkencave të Regjistrimit i dhuroi Ertegunit të parën “President’s merit awards” për ikonat e industrisë muzikore”. Ai ishte gjithashtu fitues i çmimit të “Ekselencës të Qendrës Ndërkombëtare në Nju Jork”.
Përveç të qenit një nga figurat kryesore në historinë e muzikës së popullarizuar, në aktivitetet e tij si kryetar i “Shoqatës Amerikane Turke”, Ertegun financoi departamentet e studimeve turke në universitetet Princeton dhe Georgetown.
Ahmet Ertegun tërë jetën ja ka kushtuar Rokut dhe në Rok ka vdekur, po thuaj në skenë. Më 29 tetor 2006, gjatë koncertit të Rolling Stones, Ertegun në cilësinë e mysafirit special, fatkeqësisht bie dhe godet kokën. Gjendja e tij fillimisht është stabilizuar, por jo për shumë kohë. Jimmy Page nga Led Zeppelini i bën homazhe atij në spital duke futur Led Zeppelin në Sallën Britanike të Famës. Megjithatë, Ertegun bie në koma dhe vdes më 14 dhjetor 2006.
Ertegun u varros më 18 dhjetor në Kopshtin e Teqesë Sufi, Ozbekler Tekesi në Sultantepe, Uskudar, Stamboll, pranë vëllait të tij, babait dhe stërgjyshit të tij Sheh Ibrahim Edhem Efendiut, i cili dikur ishte kryetar i teqesë.
Ceremonia përkujtimore për Ertegun u mbajt në Nju Jork më 17 prill 2007. Një pjesë e madhe e mbrëmjes iu kushtua shfaqjeve muzikore. Wynton Marsalis hapi homazhet me standardin e xhazit “Didn’t He Ramble”, Eric Clapton dhe Dr. John performoi “Drinkin’ Wine Spo-Dee-O-Dee”, dhe interpretues të tjerë përfshinin Solomon Burke, Ben E. King, Sam Moore, Stevie Nicks, Crosby, Stills, Nash & Young dhe Phil Collins.
Led Zeppelin u ribashkua për një shfaqje të vetme në një homazh për Ertegun në “O2 Arena” në Londër më 10 dhjetor 2007. Mbetet një nga vetëm katër herët që anëtarët e mbijetuar të grupit janë ribashkuar që nga vdekja e bateristit John Bonham në 1980.
Biletat u vunë në dispozicion përmes një sistemi llotarie përmes faqes së internetit Ahmettribute.com, që kushtonin 250 dollarë, dhe do të dedikoheshin bamirësisë së Ahmetit. Promoteri pat thënë se koncerti shkaktoi “kërkesën më të madhe për një shfaqje në histori”. Ai pohoi se një milion njerëz u regjistruan për më pak se 20,000 bileta të disponueshme.
Një tjetër përshëndetje joformale për të u bë në Los Anxhelos më 31 korrik 2007, në përvjetorin e lindjes së tij. Homazhi u zhvillua në Teatrin Grauman në Hollywood. Aty ai përkujtohet me shfaqje të veçantë të dokumentarit të “Masters Amerikane Atlantic Records”: The House That Ahmet Built.
Filmi i Martin Scorsese “Shine a Light”, për koncertin e The Rolling Stones në Beacon Theatre në Nju Jork, në të cilin Ertegun pësoi lëndimin që ishte fatal për të, i dedikohet Ertegun.
Edhe albumi solo i Andrea “Corr Ten Feet High” i kushtohet “Kujtimit të Ahmet Ertegun”. Koleksioni i veprave moderniste që posedonte Ertegun tani gjenden në Muzeun Baker Florida. Koleksioni përfshin vepra të Oscar Bluemner, Thomas Hart Benton, Stuart Davis, Werner Drewes, John Ferren, Ilya Bolotowsky dhe Albert Swinden.
Muzikanti i mirënjohur Frank Zappa ia ka lënë emrin djalit të tij Ahmet sipas Ahmet Ertegun. Robert Greenfiel shkrimtar i specializuar për personalitetet në muzikë më 2011 e boton librin “Sulltani i Fundit: Jeta dhe Koha e Ahmet Ertegun”./Katror.info
Përgatiti:
