Nga data 30 qershor 2025, në Francë hyn në fuqi një ndalim i ri që ndalon pirjen e duhanit në disa hapësira publike, përfshirë plazhet, parqet, kopshtet publike, strehët e autobusëve, si dhe jashtë bibliotekave, pishinave dhe shkollave.
Ky vendim u bë i ditur nga qeveria franceze dhe u publikua zyrtarisht në gazetën qeveritare të shtunën. Masa ka për qëllim mbrojtjen e fëmijëve nga tymi pasiv dhe përforcon të drejtën për të marrë ajër të pastër, siç theksoi ministrja e Shëndetësisë dhe Familjes, Catherine Vautrin, shkruan FRANCE24, raporton Katror.info.
“Duhani duhet të zhduket nga vendet ku ka fëmijë,” deklaroi ajo që në maj.
Kjo ndalesë nuk përfshin cigaret elektronike dhe gjithashtu nuk zbatohet për tarracat e kafeneve.
Shkelësit do të gjobiten me 135 euro në rast të thyerjes së këtij rregulli.
Sipas statistikave, rreth 75,000 njerëz humbin jetën çdo vit në Francë për shkak të komplikimeve të lidhura me duhanin. Një sondazh i fundit tregoi se 62% e francezëve mbështesin ndalimin e duhanit në vende publike./Katror.info