Një delegacion i lartë nga Arabia Saudite, i kryesuar nga Dr. Abdulhamit Jafer, ka filluar një vizitë në Aleancën Kosovare të Bizneseve (AKB) dhe në Kosovë, për të eksploruar mundësitë e bashkëpunimit dhe investimeve.
Sipas një njoftimi nga AKB, delegacioni saudit shprehu interesin e tij për mbështetje të iniciativave të investimeve private dhe publike në Kosovë, duke u fokusuar në kërkesat dhe mundësitë që ofron vendi.
Agim Shahini, kryetar i AKB, theksoi se Kosova ofron disa nga politikat më të favorshme për investime në Ballkanin Perëndimor, duke e bërë këtë një mundësi tërheqëse për investitorët arabë. Ai shprehu besimin se ky interes do të rrisë mundësitë për zhvillimin ekonomik dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.
Të dy palët u angazhuan për të vazhduar komunikimin dhe për të intensifikuar përpjekjet për të përmirësuar marrëdhëniet dhe për të nxitur rritjen e investimeve që do të përfitojnë të dy shtetet dhe bizneset e tyre./Katror.info