Filmi i shkurtër me skenar dhe regji nga artisti dhe regjisori kosovar, Alban Muja, me titull “Mua besoj më shpëtoi portreti” (I Believe the Portrait Saved Me), ka marrë çmimin e veçantë të jurisë, që njihet si i “Përmendja e Veçantë” në Festivalin e Filmit në Sarajevë.
“Çmimi i veçantë i jurisë i jepet filmit “Besoj se portreti më shpëtoi” të regjisorit Alban Muja, për përdorimin e guximshëm të rikonstruksionit në rrëfimin e historisë së mbijetesës gjatë luftës dhe fuqisë së artit,” ka shkruar Festivali i Filmit në Sarajevë në rrjetet sociale.
Ky projekt kinematografik ishte pjesë e konkurrencës zyrtare për çmimin Zemra e Sarajevës në seksionin e filmave dokumentarë, si dhe i kategorisë European Short, duke shënuar një rast të rrallë dhe të veçantë që një film të nominohet njëkohësisht në dy kategori të ndryshme.
“Filmi ynë mori Përmendjen e Veçantë të Jurisë në Festivalin e Filmit në Sarajevë!”, ka shkruar Alban Muja.
Ky film 10 minutësh trajton tema të mbijetesës, qëndresës dhe fuqisë transformuese të artit gjatë luftës së Kosovës. Në qendër është piktori Skënder Muja, i cili, njëzetepesë vjet pas rrëmbimit të tij gjatë luftës, rrëfen historinë e mbijetesës së dhimbshme, kur mbahej i ndaluar nga forcat serbe në një shkollë të kthyer në vend ndalimi./Katror.info