Kickboksieri nga Ferizaj, Altin Zenuni, ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm në arenën ndërkombëtare të sportit, duke u shpallur kampion botëror në kampionatin e fundit të mbajtur në Uzbekistan. Në ndeshjen vendimtare, Zenuni mposhti kundërshtarin sllovak Tibor Balazs, duke siguruar titullin më të lartë në këtë sport, shkruan Katror.info.
Rrugëtimi i Zenunit në kickboks nisi në vitin 2017 në Dusseldorf të Gjermanisë, ndërsa debutimi i tij në kategorinë MMA 70.3 kg u regjistrua në vitin 2018. Që atëherë, ai ka ndërtuar një karrierë mbresëlënëse me gjithsej 36 ndeshje të zhvilluara.
Në vitin 2023, Altini u rendit i treti në kampionatin botëror, ndërsa vetëm një vit më vonë, në 2024, ai arriti të kurorëzohet kampion evropian. Triumfi i fundit në Uzbekistan i shton suksesit të tij një tjetër titull prestigjioz, duke e pozicionuar si një nga sportistët më të suksesshëm të Kosovës në sportet luftarake./Katror.info