Ambasada e Kosovës në Uashington ka shfaqur dy dokumentarë me filmbërës kosovarë në hapjen e Festivalit të Frankofonisë në kryeqytetin amerikan.
Ambasadori i Kosovës në Uashington, Ilir Dugolli, ka bërë të ditur se në Ambasadën franceze atje u shfaqën dokumentarët “Sans le Kosova” (Pa Kosovën) nga Dea Gjinovci dhe “117” nga Besim Sahatçiu, duke e vlerësuar shfaqjen e tyre si privilegj.
“Kosova është krenare që ndan historinë, kulturën dhe traditat e saj të pasura përmes këtyre veprave të bukura artistike. Faleminderit të gjithëve që na u bashkuan për një mbrëmje të paharrueshme”, shkruan në njoftimin e Ambasadës në Facebook, trasmeton Kallxo.com.
Panelistë së bashku me Dugollin ishin profesori Edward P. Joseph dhe Dr. Elton Skendaj.
Të dy këta dokumentarë janë shfaqur në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar “DokuFest”.
Filmi i Dea Gjinovcit flet për udhëtimin e saj bashkë me babanë në rrugën e mërgimit që mori babai i saj si refugjat 19-vjeçar nga Kosova në vitin 1968.
Dea Gjinovci është filmbërëse e dokumentarëve e diplomuar në Film Etnografik dhe Dokumentar, UCL, Universiteti i Londrës.
Ndërsa, dokumenttari “117”, i xhiruar në fshatin kosovar Nivokaz, përshkruan stilin e jetesës tradicionale të një familjeje shqiptare që numëron 117 anëtarë, të gjithë që jetojnë nën një çati dhe në harmoni të madhe. /Katror.info