Sot po mbahet Samiti i Liderëve të Procesit të Berlinit në Londër, një ngjarje kyçe që synon të fuqizojë perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Pas një viti përgatitjesh intensive, samiti vjen me qëllim për të sjellë rezultate konkrete dhe një vizion të përbashkët për rajonin.
Procesi i Berlinit, i inicuar nga Gjermania në vitin 2014, ka për qëllim mbështetjen e aspiratave për anëtarësim në BE të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet tyre. Ky proces ka sjellë përmirësime të dukshme në jetën e qytetarëve, si heqja e tarifave për roaming-un dhe marrëveshjet për lëvizje të lirë, si dhe njohjen e ndërsjellë të kualifikimeve profesionale dhe akademike.
Ambasada Gjermane thekson se Procesi i Berlinit promovon reformat e nevojshme për anëtarësim në BE, jo si qëllim në vetvete, por si mjet për forcimin e sundimit të ligjit, demokracisë dhe luftës kundër korrupsionit, duke sjellë përfitime të drejtpërdrejta për shoqërinë.
“Bashkëpunimi i ngushtë në këto fusha jo vetëm që forcon secilin vend të rajonit, por shërben edhe për interesat e përbashkëta të BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar. Një Ballkan Perëndimor i sigurt do të thotë një Evropë e sigurt”, thuhet në reagimin e Ambasadës.
Samiti i sotëm shënon ngjarjen përmbyllëse të Procesit të Berlinit për këtë vit, duke vendosur fokusin te stabiliteti, bashkëpunimi dhe perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor./Katror.info