Ambasada Gjermane në Kosovë ka përgëzuar Kombëtaren e Kosovës për arritjen historike të sigurimit të një vendi në Ligën B të Ligës së Kombeve, duke e cilësuar këtë si një moment krenarie për gjithë vendin dhe adhuruesit e futbollit, shkruan Katror.info.
Në një postim në Facebook, Ambasada e Gjermanisë theksoi rolin e trajnerit gjerman Franco Foda në këtë sukses, duke vlerësuar punën ekipore, përkushtimin dhe ambicien e futbollistëve kosovarë.
“Kjo është një arritje historike për Kombëtaren e Kosovës! Me trajnerin gjerman Franco Foda në krye, Kosova ka shkruar historinë duke siguruar një vend në Ligën B të Ligës së Kombeve për herë të parë. Ambasadori dhe e gjithë Ambasada urojnë ekipin dhe e njohin këtë moment të jashtëzakonshëm si dëshmi e punës së palodhshme, përkushtimit dhe ambicies”, thuhet në reagimin e Ambasadës Gjermane.
Kosova arriti këtë sukses pas dy fitoreve kundër Islandës, fillimisht me rezultat 2-1 në shtëpi dhe më pas me një triumf 1-3 në ndeshjen e kthimit./Katror.info