Ambasadori i Finlandës në Prishtinë, Matti Nissinen, në një intervistë për platformën “The Geopost” në përfundim të mandatit të tij trevjeçar, ka vlerësuar se Kosova është në rrugën e duhur drejt anëtarësimit në familjen e madhe euroatlantike.
“Unë besoj se Kosova është në rrugën e duhur drejt organizatave evropiane dhe euroatlantike. Dhe mesazhi im është që të vazhdohet në këtë rrugë, fokusi të jetë tek reformat shoqërore, dhe sa më shpejt të jetë e mundur, të shohim Kosovën si anëtare të organizatave të ndryshme ndërkombëtare”, ka theksuar mes tjerash Nissinen.
Ai ka inkurajuar qeverinë të investojë më shumë në njerëz, arsim, shëndetësi dhe në krijimin e vendeve të punës për kosovarët. Ky model, sipas tij, ka funksionuar në Finlandë dhe nuk ka asnjë arsye të dyshojë se nuk do të funksionojë edhe në Kosovë.
Ndryshe, raportet mes Kosovës dhe Finlandës janë trashëguar nga ish-presidenti finlandez, Martti Ahtisaari, i cili mori pjesë në ndërmjetësimin e procesit të paqes në Kosovë në vitin 1999, si dhe shërbeu si i dërguar special i Kombeve të Bashkuara për statusin e saj në vitet 2005-2008, duke luajtur një rol kyç në pavarësinë e Kosovës./Metro/Katror.info