Ambasadori i Republikës së Kosovës në Bernë, Mentor Latifi, dhe Udhëheqësja e Konsullatës së Përgjithshme në Gjenevë, Floreta Kabashi, janë pritur në një takim nga Kryetarja e Kantonit të Gjenevës, Nathalie Fontanet.
Takimi vlerësohet si një hap i rëndësishëm në drejtim të thellimit të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Kantonit të Gjenevës, me theks të veçantë në integrimin e komunitetit kosovar në Zvicër, një ndër komunitetet më të mëdha të diasporës shqiptare në këtë shtet.
Sipas njoftimit, gjatë bisedës, palët diskutuan rolin e Gjenevës si një qendër kyçe ndërkombëtare dhe nënvizuan rëndësinë e angazhimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare me seli në këtë kanton.
Po ashtu, u shpreh gatishmëria për forcimin e kontakteve institucionale dhe identifikimin e fushave me interes të përbashkët, në funksion të rritjes së bashkëpunimit.
Takimi u cilësua si një mundësi e mirë për të forcuar më tej lidhjet e miqësisë dhe për të promovuar Kosovën si një partnere konstruktive dhe aktive në skenën ndërkombëtare. /Katror.info
Përgatiti:
