Ylli botëror që trondit skenat më të mëdha te botës, Anita Rachvelishvili vjen si një uragan në edicionin e 5-të të RLIOF.
Më 30 korrik në Prishtinë, Anita sjell zërin e saj dramatik dhe prezencën që magjeps botën për herë të parë në Kosovë, e shoqëruar nga Ansambli i Festivalit Rame Lahaj dhe dirigjenti i shkëlqyer Nikoloz Rachveli.
Në orën 20:30 ajo do të pefermoje në hapësirën e jashtme e Bibliotekës Kombëtare.
“Jemi jashtëzakonisht të nderuar që mirëpresim, për herë të parë në Kosovë, një nga zërat më të mëdhenj operistik: Anita Rachvelishvili, mezzosopranoja e kohës sonë. Me një zë që ka pushtuar skenat e La Scala-s, Met-it, Parisit dhe më gjerë, Anita sjell në Prishtinë artin e saj të jashtëzakonshëm për një mbrëmje që premton të jetë historike. Ajo do të shoqërohet nga Ansambli i Festivalit Rame Lahaj, nën drejtimin e të Maestro Nikoloz Rachveli, i cili do të udhëheq këtë mbrëmje të fuqishme muzikore. Ky nuk është vetëm një koncert, është një moment historik kulturor dhe një festë e operës pa kufi”, ka shkruar Lahaj në Facebook.
Nga debutimi i saj legjendar si Carmen në La Scala, zgjedhur nga vetë Daniel Barenboim, e deri te rolet madhështore të Verdit në Met, Operan e Parisit, Staatsoper në Vjenë, Berlin, Covent Garden dhe më tej, Anita është ngjitur në majat e artit operistik botëror, shkruan RTK.
Si artiste ekskluzive e Sony Classical, diskografia e saj përfshin albumet e shumëvlerësuara Anita (2018) dhe Élégie (2021), duke dëshmuar shkathtësinë e rrallë të zërit të saj./Katror.info