E tërë trupa artistike e AKKV “Shota” janë angazhuar që të sjellin momente shumë të veçanta për publikun e Prishtinës në koncertin e fundvitit.
Këngët, vallet e muzika e bukur qytetare do ta karakterizojnë këtë koncert që poashtu rikthen Vallen e “Peshkatarit” pas 20 vitesh, nga koreografi, Prof. Haki Mulliqi, thuhet në një njoftim të “Shotës.”
Koncerti vjen më datë 18.12.2023, në ora 19:00, në Teatrin Kombëtar të Kosovës ( Pallati i Rinisë).
Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” është themeluar më 30 Shtator 1950, si ansambël shtetëror.
Ansambli “Shota” ka si objekt të veprimtarisë së vet, zhvillimin e artit skenik, ruajtjen e trashëgimisë kulturore-shpirtërore, realizimin e vlerave skenike, zhvillimin dhe kultivimin e vlerave etnomuzikologjike e etnokoreografike si dhe promovimin e tyre brenda dhe jashtë vendit.
Në Mars të vitit 1964, u krijuan sërish kushtet për rithemelimin e Ansamblit Profesional të Këngëve dhe Valleve. Kështu në këtë periudhë, sërish me vendim të Kuvendit të Kosovës, u riaktivizua ky ansambël i cili u emërtua Ansambli Shtetëror “Shota”.
Periudha 1950-1954 kryesisht kishte shërbyer për të ndërtuar trupën artistike, në periudhën pas vitit 1964, ansambli “Shota” luajti një rol të pazëvendësueshëm në ruajtjen, kultivimin dhe zhvillimin e këngëve dhe valleve popullore të Kosovës.
Ky ansambël bëri afirmimin e vlerave të mirëfillta kulturore kombëtare siç është origjinaliteti i kostumeve, meloditë autentike dhe vallet e veçanta ekzotike, me të cilat ky ansambël është prezantuar në më se 50 shtete të ndryshme të botës, në të gjitha kontinentet.
Ansambli “Shota” ka shfaqur koncerte në Evropë, Amerikë, Afrikë, Azi dhe Australi. Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota”, para disa kohësh është shpërblyer me çmimet më të rëndësishme të festivalit “Vitosha folk fest 2018”. Ky festival u mbajt në Sofje të Bullgarisë. Artistët morën tre çmimet kryesore, duke filluar me çmimin e parë, koreografia më e mirë dhe muzika më e mirë./Katror.info
Përgatiti:
