Më 23 shtator 2022, mediat njoftuan për vendimin e Komisionit Evropian (KE) që kompanitë prodhuese të krijojnë një zgjidhje universale të karikimit për telefonat dhe pajisjet e vogla elektronike.
Të gjithë telefonat inteligjentë të shitur në BE duhet ta kenë karikues USB-C, thuhet në propozim.
Apple paralajmëroi se një veprim i tillë do ta dëmtonte inovacionin.
Megjithëatë, kompania Apple ka konfirmuar zyrtarisht se telefonat e saj iPhone do të kalojnë në përdorimin e portit USB-C, shkruan Techcrunch.
Kreu i marketingut të Apple, Greg Joswiak, ka thënë se porti i mbushësit Lightning do të zëvendësohet nga një port USB-C, megjithëse kompania nuk është e lumtur për këtë. Por asnjë zyrtar nuk potencoi se kur do të ndodhë ndryshimi, shkruan Koha.
Apple ka thënë se “evropianët po diktojnë kohën kur bëhet fjalë për klientët në Evropë”. Joswiak nuk pranoi të përgjigjet nëse kompania do ta shesë portin USB-C jashtë BE-së.

Ai vuri në dukje se Apple preferon t’u besojë inxhinierëve të saj në vend që t’u përmbahet standardeve të ligjvënësve dhe të miratojë pajisje të palëve të treta. Madje ai përmendi edhe MicroUSB, duke thënë se Apple po detyrohet të plotësojë kërkesa të paarsyeshme.
Ai shtoi se kabllot e shkëputshme e kanë zgjidhur problemin e standardizimit dhe se kalimi në USB-C do të krijojë shumë mbeturina elektronike pasi njerëzit detyrohen të blejnë kabllo të reja dhe të hedhin kabllot e vjetra.
Në fillim të këtij muaji, Parlamenti Evropian votoi që telefonat të kenë vetëm një lloj mbushësi. Ky vendim goditi më së shumti Applen./Katror.info