Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) ka shpallur nisjen e edicionit të ri të ProCredit Superligës, duke ftuar basketbollistët, trajnerët, punëtorët sportivë dhe tifozët të bëhen pjesë e spektaklit të ri sportiv.
Në mesazhin e tij për këtë sezon, kryetari i FBK-së, Arben Fetahu, ka theksuar se ky edicion premton emocione të forta, performanca në nivelin më të lartë dhe rivalitete të zjarrta, duke reflektuar përkushtimin dhe pasionin e të gjithë pjesëmarrësve.
“Ky është momenti kur elita e basketbollit tregon forcën, përkushtimin dhe zemrën e saj, duke krijuar spektaklin që e duam të gjithë,” tha Fetahu. Ai gjithashtu falënderoi ProCredit Bank, sponsorin gjeneral të Superligës, për mbështetjen e jashtëzakonshme që mundëson zhvillimin e garave në standardet më të larta dhe ofron eksperienca të paharrueshme për lojtarët dhe tifozët.
Ky sezon do të përfshijë Superligën për meshkuj, Superligën për femra dhe liga të tjera, duke sjellë sfida të reja dhe momente vendimtare. Fetahu uroi të gjitha klubet për suksese dhe theksoi se vetëm përmes bashkëpunimit mund të ngritet basketbolli kosovar në nivele të larta.
“Le të jetë një sezon mbresëlënës, energjik dhe i paharrueshëm, ku secili prej nesh të japë maksimumin, ku tifozët të emocionohen dhe ku suksesi të ndodhë në çdo sfidë!” përfundoi ai./Katror.info