Arkeologët zbuluan së fundmi mbetjet e një dyqani kozmetik dhe bizhuterish romake në Turqi.
Gërmimet e qytetit antik të Aizanoi në Turqinë e sotme perëndimore u fokusuan në zonën pranë Tempullit të Zeusit në Anadoll.
Gjegjësisht, ekipi i arkeologëve u fokusua në agora, ose treg, në lindje të Tempullit të Zeusit, tha shefi i gërmimeve Gokhan Coskun, një arkeolog nga Universiteti Dumlupinar, shkruan Katror.info.
“Ne konstatuam se vendi që zbuluam ishte një dyqan që shiste produkte kozmetike si parfume, bizhuteri dhe materiale për grim,” tha Coskun.

“Gjatë gërmimit këtu kemi hasur në një numër të madh shishesh parfumesh, përveç tyre ka edhe bizhuteri. Bëhet fjalë për produkte si shirita flokësh dhe gjerdan që përdoreshin nga femrat”.
Kreu i gërmimit tregon gjithashtu se janë gjetur “kite” grimi, të cilat përmbajnë hije si dhe skuqje me ngjyra të ndezura. Sipas tij, hijet dhe skuqjet janë të ngjashme me produktet që përdoren edhe sot.
“Një nga gjetjet më befasuese është se kemi hasur në pigmente grimi të ngjashme me skuqjet dhe hijet që përdoren sot”, tha Coskun.

Grimi i gjetur ishte në 10 ngjyra të ndryshme, por shumica ishin nuanca të ndezura të kuqes dhe rozës.
“Natyrisht, ato nuk janë në gjendje të ruajtur mirë. Janë gjetur në copa 1 ose 2 milimetra. Megjithatë, gjatë gërmimit kemi gjetur disa pjesë të ruajtura mjaft mirë”, theksoi Coskun./Katror.info