Më 30 prill 2025, në ora 20:00, në Qendrën Barabar në Prishtinë do të jepet premiera e shfaqjes teatrore “Shpirti”, nën regjinë e Agim Selimit, njofton Artpolis.
Shfaqja është e bazuar në veprën e njohur të psikiatrit amerikan Dr. Brian Weiss dhe trajton tema si rimishërimi, jetët e mëparshme, shëndeti mendor dhe ndikimi i dashurisë në procesin e shërimit emocional.
Në qendër të ngjarjes janë dy personazhe: Katerina, një grua që përballet me ankth dhe depresion, dhe Dr. Briani, një psikiatër që përdor metoda alternative për të kuptuar dhe trajtuar shqetësimet e saj. Rolin e Katerinës e luan aktorja Albionë Sahiti, ndërsa rolin e Dr. Brianit e interpreton aktori Drin Berisha.
Shfaqja është rezultat i punës së një ekipi të gjerë krijues. Përveç regjisorit Agim Selimi, në realizimin e saj kanë kontribuar Hafize Ramadani si asistente regjie, Leonita Krasniqi në kostumografi dhe skenografi, Arlind Islami në muzikë, Agron Shala në dramatizim dhe Mursel Bekteshi në ndriçim.
Hyrja për shfaqjen është falas, mirëpo për shkak të numrit të kufizuar të ulëseve, organizatorët rekomandojnë rezervimin paraprak në numrin e telefonit +383 49 714 646.
Shfaqja, synon të ofrojë një përvojë që ndërthur reflektimin mbi shëndetin mendor me temat e ndërgjegjes dhe jetëve të mëparshme, përmes një forme të qasjes artistike. /Katror.info
Përgatiti:
