Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) njofton se gjatë pesë muajve të parë të vitit 2025 janë mbledhur gjithsej 460.4 milionë euro të hyrat tatimore, duke shënuar një rritje prej 10.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ky rezultat pasqyron përkushtimin e vazhdueshëm të ATK-së në forcimin e sistemit tatimor, rritjen e formalizimit të ekonomisë, si dhe avancimin e transparencës dhe profesionalizmit institucional.
ATK thekson se mbetet e përkushtuar në forcimin e integritetit dhe transparencës, duke ofruar mbështetje profesionale të rregullt dhe të qasshme për të gjithë tatimpaguesit. Zbatimi i ligjit në mënyrë të barabartë dhe monitorimi i vazhdueshëm i zbatimit të obligimeve tatimore janë faktorë kyç në rrugëtimin drejt një administrate më të fuqishme dhe më të besueshme.
Në njoftim po ashtu theksohet falënderimi për tatimpaguesit që përmbushin detyrimet e tyre me korrektësi, duke kontribuar drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e përgjithshme të vendit. Administrata Tatimore e Kosovës do të vazhdojë të punojë me përkushtim të plotë, në partneritet të ngushtë me qytetarët dhe institucionet, për të ndërtuar një sistem tatimor të drejtë, efikas dhe të qëndrueshëm./RTK/Katror.info