Autostrada Biennale dhe Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore – Prizren (QRTK) kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi për të promovuar dhe ri-funksionalizuar në mënyrë kreative objektet e trashëgimisë kulturore.
Ky partneritet sipas njoftimit synon të shndërrojë trashëgiminë kulturore të Prizrenit në një hapësirë të hapur për ndërveprim, ku arti bashkëkohor dhe historia e qytetit do të gërshetohen për të frymëzuar kreativitet dhe zhvillim social.
Gjatë edicionit të pestë të Autostrada Biennale, kuruar nga Erzen Shkololli dhe planifikuar të mbahet nga 5 korriku deri më 5 tetor 2025, do të organizohen ekspozita, vizita grupore dhe programe edukative, me synim angazhimin e komunitetit lokal dhe profesionistëve të fushës.
Sipas njoftimit, drejtori i QRTK Prizren, Samir Hoxha, e vlerësoi këtë bashkëpunim si një mundësi për të fuqizuar rolin e trashëgimisë kulturore në zhvillimin e qytetit. “Ky është një hap i natyrshëm për të integruar trashëgiminë kulturore të Prizrenit në një nivel më të gjerë dhe ndërkombëtar.
Sinergjia mes artit bashkëkohor dhe trashëgimisë ka krijuar ndikim të thellë në komunitetin tonë dhe përtej tij,” tha Hoxha.
Nga ana tjetër, Leutrim Fishekqiu, bashkëthemelues dhe drejtor ekzekutiv i Autostrada Biennale, e cilësoi këtë memorandum si një mundësi për të eksploruar se si arti bashkëkohor mund ta sjellë më pranë njerëzve trashëgiminë kulturore.
“Këto hapësira nuk do të jenë vetëm kujtesë e së kaluarës, por edhe pjesë e përvojës së përditshme kulturore, të hapura dhe të afërta me komunitetin,” u shpreh ai.
Ky memorandum gjithashtu synon ndërkombëtarizimin e trashëgimisë kulturore të Prizrenit, duke e vendosur atë në hartën globale të artit dhe institucioneve kulturore.
Përmes Autostrada Biennale, qyteti pritet të mirëpresë artistë, kuratorë dhe studiues nga e gjithë bota, duke e shndërruar Prizrenin në një qendër të rëndësishme të artit bashkëkohor.
Për më shumë informacion mbi aktivitetet e ardhshme, Autostrada Biennale fton publikun të ndjekë kanalet e saj zyrtare. /Katror.info
Përgatiti:
