Në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) u mbajt takim mes delegacionit të Bankës Botërore, të udhëhequr nga Ruvejda Aliefendic, dhe drejtuesve të AUV-së, Drejtorit Ekzekutiv Bekim Hoxha dhe Drejtorit të Laboratorit të Ushqimit dhe Veterinarisë Kujtim Uka, shkruan Katror.info.
Takimi kishte për qëllim diskutimin e hapat të mëtutjeshëm në implementimin e projektit të Lehtësimit të Tregtisë dhe Transportit (Trade and Transport Facilitation Project – TTFP), ku AUV është përfituesja e një granti prej 5.8 milionë dollarë amerikanë për pajisje laboratorike.
Drejtori Hoxha e mirëpriti delegacionin dhe i falënderoi për zgjedhjen e AUV-së si një institucion kyç për Kosovën dhe popullin e saj, duke theksuar se mbështetja e vazhdueshme nga Banka Botërore po forcon kapacitetet e AUV-së për të ofruar shërbime më të mira për konsumatorët dhe bizneset.
Projekti do të kontribuojë në përmirësimin e tregtimit të mallrave duke siguruar pajisje të avancuara që mundësojnë analiza të produkteve për një gamë të gjerë parametrash. Ky avancim do të rrisë sigurinë e produkteve të importuara dhe eksportuara, duke siguruar standarde më të larta për konsumatorët, pa dallim./Katror.info