Avokati i Popullit ka publikuar raportin lidhur me sistemin bonus-malus të sigurimeve, duke vlerësuar se ky sistem, në formën aktuale të zbatimit, shkel të drejtën e pronës së pronarëve të mjeteve motorike.
Në raport theksohet se në Republikën e Kosovës ekziston një kuadër ligjor që rregullon çështjet e automjeteve, trafikut rrugor dhe sigurimit të detyrueshëm nga autopërgjegjësia. Brenda këtij kuadri, sistemi bonus-malus është paraparë të funksionojë si mekanizëm korrektues i primit të sigurimit, në varësi të historikut të dëmeve të shkaktuara nga i siguruari, shkruan RTKLive.
Megjithatë, Avokati i Popullit ka vërejtur se, sipas nenit 4 të Rregullores për Zbatimin e Sistemit Bonus-Malus, konkretisht paragrafëve 6, 7, 8, 9 dhe 10, ndëshkohen edhe ata pronarë mjetesh që nuk kanë shkaktuar asnjë dëm gjatë periudhës së sigurimit, por që nuk e regjistrojnë automjetin brenda afateve të përcaktuara në këtë nen.
“Në këto raste, jo vetëm që nuk u njihet e drejta për bonus, por iu aplikohet edhe malusi – që nënkupton një ngritje të çmimit të sigurimit – pavarësisht faktit se nuk kanë shkaktuar dëm,” theksohet në raport.
Sipas Avokatit të Popullit, një qasje e tillë bie ndesh me frymën e Ligjit për Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia, i cili përcakton që çmimi i sigurimit të bazohet vetëm në historikun e dëmeve të të siguruarit. Si rrjedhojë, Rregullorja aktuale është vlerësuar si cenim i të drejtës së pronës për qytetarët që nuk i regjistrojnë mjetet e tyre në kohë, por që nuk kanë kontribuar në rrezik të shtuar në trafik.
“Përfundimisht, Avokati i Popullit konsideron se është e nevojshme të ndryshohet Rregullorja për Zbatimin e Sistemit Bonus-Malus, përkatësisht neni 4, paragrafët 6, 7, 8, 9 dhe 10, duke i harmonizuar me frymën e ligjit përkatës dhe duke u siguruar që çmimi i sigurimit të bazohet ekskluzivisht në historikun e dëmeve të të siguruarit,” thuhet në komunikatë.
Avokati i Popullit ka rekomanduar që Banka Qendrore e Republikës së Kosovës të ndërmarrë veprimet e nevojshme për të ndryshuar Rregulloren dhe të fshijë dispozitat përkatëse, në mënyrë që të garantohet mbrojtja e të drejtave pronësore dhe një trajtim i drejtë për të gjithë qytetarët./Katror.info