Banka Botërore ka publikuar një video të shkurtër që tregon historinë e suksesit të Kosovës, e cila tashmë është bërë donatore në kuadër të Asociacionit për Zhvillim Ndërkombëtar (IDA), shkruan Katror.info.
Në videon e publikuar, theksohet angazhimi i Kosovës për mbështetje financiare ndaj shteteve që përballen me sfida të mëdha ekonomike dhe sociale.
Ky transformim është konsideruar një hap i rëndësishëm për Kosovën, duke kaluar nga një vend që përfiton ndihmë ndërkombëtare në një kontribuues aktiv për zhvillimin global. Sipas Bankës Botërore, kjo nismë simbolizon angazhimin e Kosovës për solidaritetin ndërkombëtar dhe për të ndarë përvojën e saj të zhvillimit me shtetet në nevojë.
Në njoftimin e zyrës për informim të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve thuhet: “Si donatore e IDA-s, Kosova bashkohet me vendet e tjera që mbështesin financiarisht projektet zhvillimore, duke dëshmuar gatishmërinë e saj për të kontribuar në solidaritetin ndërkombëtar dhe ndarjen e përvojës së saj të zhvillimit.”
Ndërkaq në përshkrimin krahas videos, Banka Botërore vlerëson rrugëtimin e suksesshëm të Kosovës.
“Kosova ka bërë një hap historik duke u bërë donatore e Asociatës për Zhvillim Ndërkombëtar (IDA) të Bankës Botërore me një kontribut prej 1.4 milion dollarë. Shikoni këtë video për të dëgjuar nga Hekuran Murati, Ministër i Financave, Punës dhe Transfereve të Kosovës, dhe Akihiko Nishio, Zëvendës President i Bankës Botërore për Financat e Zhvillimit. Mësoni se si progresi ekonomik i Kosovës ka mundësuar që vendi të bashkohet me komunitetin global të donatorëve që mbështesin 78 shtete me të ardhura të ulëta—ndërkohë që vazhdon rrugëtimin për zhvillim”, thuhet në përshkrim.
Ky hap ka një rëndësi të veçantë për forcimin e pozicionit të Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të saj me organizatat financiare globale./Katror.info