Në shënimin e 20-vjetorit të Agjendës për Barazi Gjinore të Kosovës, Agjencia për Barazi Gjinore në kuadër të Zyrës së Kryeministrit ka organizuar konferencën ndër–rajonale “30 vjet pas Pekinit – Rruga përpara”, raporton Ekonomia Online.
Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kërkuan angazhim të pandalshëm institucional dhe shoqëror për avancimin e të drejtave të grave dhe vajzave në vend.
Ata theksuan se barazia gjinore nuk duhet të mbetet koncept deklarativ, por parim dhe praktikë e përditshme që reflektohet në politikëbërje, punësim dhe pjesëmarrje publike.
Presidentja Vjosa Osmani tha se barazia gjinore është angazhim i përditshëm dhe jo premtim elektoral.
“Barazia gjinore as një herë nuk është fjalë në letër, nuk është premtim zgjedhor, barazia është një betim dhe veprim i përditshëm. Ne duhet të jemi zëri që thyen heshtjen, duart që ngrisin njëra tjetrën, zemrat që nuk dorëzohen kurrë përballë padrejtësisë. Vetëm kështu mund të ecim përpara. Le të qëndrojmë të palëkundur në këtë mision, ku as një vajzë e grua nuk jeton nën hijen e frikës, ku as një prej tyre nuk mbetet jashtë mundësive dhe ku çdo derë e jetës publike hapet pa dallim, pa paragjykim, pa as një barrierë. Le të ecim bashkë me besim, vendosmëri dhe me guxim sepse kjo është rruga drejt një shteti që i ngjan idealeve tona të përbashkëta”, tha ajo.
Kryeministri në detyrë Albin Kurti theksoi se Kosova ka përkthyer zotimet e Pekinit në politika konkrete.
“Sot teksa shënojmë këtë përvjetor, riafirmojmë angazhimin e Kosovës si aleatë e palëkundur e të drejtave të grave dhe barazisë gjinore. Edhe pse shumë më e re si republikë, Kosova i ka përkthyer angazhimet e platformës së Pekinit në politika konkrete. Një nga shtyllat e kësaj platforme është eliminimi i varfërisë së grave. Si qeveri kemi marrë masa që e thyejnë këtë cikël, mbi 12 mijë gra të punësuar drejtpërdrejt nga programet e punësimit. Barazia të jetë praktikë në çdo vend pune për çdo vajzë e grua. Çdo institucion, secila ndërmarrje dhe çdo komunitet duhet të jetë aleatë për barazinë gjinore, për një shoqëri ku potenciali i grave shihet, mbështetet dhe vlerësohet”, tha ai./EO/Katror.info
















