Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka thënë se me përfaqësuesit e partive politike në takim të martën është dakorduar që nesër në seancën konstituive të votohen nënkryetarët e Kuvendit të Kosovës në pako.
Basha ka thënë se ka konsensus mes partive për të gjitha pikat që konstituojnë Kuvendin. Paralajmëroi se institucionet do të themelohen shumë shpejt.
***
Nis takimi për seancën konstituive
E përditësuar 18:00
Ka nisur takimi i kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha, me përfaqësuesit e partive politike rreth seancës konstituive që do të mbahet nesër, 11 shkurt.
Nga Partia Demokratike e Kosovës kanë shkuar Vlora Çitaku e Përparim Gruda, nga Lidhja Demokratike e Kosovës Kujtim Shala. Kurse nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, i pranishëm është Besnik Tahiri. Lëvizja Vetëvendosje përfaqësohet nga Albulena Haxhiu.
Po ashtu të pranishëm janë edhe përfaqësuesit nga komunitetet joshumicë.
Caktimi i seancës u bë një ditë pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi rezultatet e zgjedhjeve të 28 dhjetorit. Presidentja Vjosa Osmani thirri seancën për 11 shkurt në orën 12:00 pas konsultimit me shumicën e partive parlamentare dhe duke marrë parasysh urgjencën e krijimi
***
Konjufca optimist – pret formimin e Kuvendit dhe të qeverisë
Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, shprehu optimizëm se në seancën e nesërme konstituive nuk do të bëhet vetëm formimi i Kuvendit të Kosovës, por edhe i Qeverisë së re.
“Nesër do të bëhet Kuvendi dhe shumë shpresoj që nesër do të bëhet edhe qeveria. Për të tjerat flasim pastaj”, deklaroi Konjufca.
Ai gjithashtu theksoi se LVV-ja nuk ka refuzuar asnjëherë aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, duke shtuar se vendimet e saj janë respektuar edhe kur fillimisht janë konsideruar si beteja politike.
“Ne kurrë nuk i kemi refuzuar aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese. Deri tash vazhdimisht LVV i ka konsideruar ato beteja politike, por kur Gjykata Kushtetuese ka dhënë vendim, ne e kemi respektuar. Për shembull, në vitin 2014, kur u tha se shumicën e duhet ta bëjë fituesi i zgjedhjeve, ne u tërhoqëm dhe vazhduam sipas opinionit të Gjykatës”, u shpreh ai.
Deklaratat e Konjufcës vijnë një ditë para seancës konstituive të Kuvendit, e cila është caktuar për nesër në orën 12:00. /Katror.info














