Posta e Kosovës, përmes Filatelisë së saj, ka lëshuar sot në qarkullim postar një pullë të re kushtuar arkitektit të njohur Bashkim Fehmiu (1930–2008), njërit ndër emrat më të rëndësishëm të arkitekturës moderne në Kosovë.
Në historinë urbane të Prishtinës, Bashkim Fehmiu mbetet një figurë themelore që i dha qytetit identitetin e tij bashkëkohor.
“Ai nuk ishte vetëm një arkitekt që projektonte ndërtesa, por një vizionar që konceptonte hapësira për jetesë, mësim e krijimtari. Lagjet e banimit, kampusi i Universitetit të Prishtinës, si dhe objekte simbolike si hoteli “Grand”, mbajnë vulën e tij profesionale dhe shpirtërore”.
Fehmiu ishte themeltari i Entit të Urbanizmit të Prishtinës, duke drejtuar zhvillime të rëndësishme urbane në kryeqytet. Po ashtu, për shumë vite ai ka udhëhequr Katedrën e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Fakultetin e Arkitekturës, deri në pensionimin e tij në vitin 1991, thuhet në njoftimin e postës.
Arkitektura e tij shquhet për balancën mes funksionalitetit dhe humanizmit, duke e shndërruar çdo projekt në një shprehje të jetës qytetare. Në nderim të trashëgimisë së tij, librat dhe punimet e Fehmiut i janë dhuruar Fakultetit të Arkitekturës, ku është hapur biblioteka dhe ekspozita “Bashkim Fehmiu”.
Përmes këtij emisioni filatelik, Posta e Kosovës synon të promovojë vlerat kulturore dhe historike të vendit, duke ftuar koleksionistët, institucionet dhe qytetarët që ta pasurojnë koleksionin e tyre me këtë pullë të veçantë që nderon jetën dhe veprën e arkitektit Bashkim Fehmiu./RTK/Katror.info