Bedri Hamza është zgjedhur kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës. Hamza u zgjodh në Konventën e PDK-së.
Votimi ishte i hapur dhe u votua unanimisht.
Kandidati për kryetar të PDK-së, Bedri Hamza ka mbajtur një fjalim para delegatëve të PDK-së në Konventën ku pritet të zgjidhet kryetari i ri.
Ai nuk kishte kundërkandidat dhe zgjedhja e tij u bë pasi Memli Krasniqi ditë më parë dha dorëheqje nga kreu i partisë.
Hamza, 62 vjeç, ka shërbyer dy herë si ministër i Financave i Kosovës dhe në katër vjetët e fundit e udhëhoqi komunën e Mitrovicës së Jugut.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare të mbajtura më 9 shkurt, ai ishte kandidati i PDK-së për kryeministër.
Ai është zyrtari i vetëm i partisë që shpalli kandidaturën për ta udhëhequr partinë e dytë më të madhe në vend aktualisht.
Por, jo të gjithë në parti u pajtuan me thirrjen e Konventës pesë ditë pasi Krasniqi njoftoi dorëheqjen të mërkurën e kaluar.
Enver Hoxhaj, i cili dikur udhëhoqi partinë si ushtrues detyre i kryetarit, e kundërshtoi mbajtjen e Konventës kaq shpejt dhe shprehi ambiciet për të garuar, por ai nuk duket ta ketë mbështetjen e nevojshme për të qenë pjesë e garës në radhë të parë.
Ai bëri thirrje që Konventa të shtyhet për 23 nëntor, duke thënë se nevojitet më shumë kohë për një garë më cilësore, dhe se një parti demokratike duhet të ketë në garë më shumë sesa thjesht një kandidat të vetëm.
“PDK-ja ka nevojë për drejtim të ri, jo për skema të vjetra, ka nevojë për vizion të ri, jo për ndërrim rolesh. Ky është momenti për t’ia hapur rrugën ndryshimit të vërtetë”, shkroi Hoxhaj në Facebook.
Gjatë konventës, ai tha se gara mbahet në kushte të pabarabarta, andaj nuk është pjesë e garës.
“E ka bërë garën e mbyllur, jodemokratike. Prandaj kam kërkuar shtyrjen një javë të konventës”, tha ai.
Më herët, PDK-ja nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë (REL) nëse Hamza do të ketë kundërshtarë dhe deri tani, disa orë para mbajtjes së Konventës, Hamza mbetet zyrtarisht kandidati i vetëm./Katror.info
















