Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar Beldocs dhe Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër DokuFest kanë hapur konkursin për një program të ri shkëmbimi ndërkulturor për të rinjtë nga Serbia dhe Kosova, të titulluar #DocYouthAlliance, shkruan Katror.info.
Ky projekt u drejtohet të rinjve të moshës 18 deri në 25 vjeç që kanë interes për filmin, artin dhe aktivizmin kulturor. Programi synon të krijojë një platformë të re bashkëpunimi mes të rinjve nga të dy vendet, duke i angazhuar ata në organizimin dhe përzgjedhjen e filmave për festivalet respektive, pjesëmarrje në jurinë e të rinjve të DokuFest-it, si dhe zhvillimin e strategjive për fushatat e mediave sociale.
Pjesëmarrësit e përzgjedhur do të kenë mundësinë të marrin pjesë në dy festivalet kryesore të filmit dokumentar në rajon:
- Beldocs Festival (Beograd, 21-27 maj 2025) – një përvojë pesëditore e organizuar me mbulimin e të gjitha shpenzimeve të udhëtimit, akomodimit dhe ushqimit.
- DokuFest (Prizren, 1-9 gusht 2025) – pjesëmarrje në programin e festivalit dhe aktivitete të ndryshme edukative dhe artistike.
Gjatë programit, pjesëmarrësit do të angazhohen në punëtori mbi filmin, dialogun ndërkulturor dhe komunikimin, si dhe do të kenë mundësinë të takojnë kineastë nga mbarë bota.
Aplikimet janë të hapura deri më 1 prill 2025, ndërsa kandidatët e përzgjedhur do të kontaktohen deri më 7 prill. Gjuha e punës është anglishtja dhe pjesëmarrja në të gjitha aktivitetet është e detyrueshme për të gjithë aplikantët e përzgjedhur.
#DocYouthAlliance realizohet me mbështetjen e Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO) përmes programit “RYConnecting You(th)”./Katror.info