Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) miratoi një kredi prej 25 milionë eurosh për Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve të Kosovës, për trajtimin e ujërave të zeza në Podujevë, përmes ndërtimit të dy impianteve të trajtimit dhe zgjerimit të rrjetit të kanalizimeve, shkruan Katror.info.
Ky investim do të mundësojë ndërtimin e impiantit të parë modern të trajtimit të ujërave të ndotura dhe do t’i shërbejë rreth 50,000 banorëve, duke reduktuar ndotjen mjedisore nga shkarkimet e papërpunuara në lumin Llap, që aktualisht ndot burimet ujore të zonës.
Projekti përfshin gjithashtu zgjerimin dhe përmirësimin e rrjetit lokal të kanalizimeve dhe ndërtimin e një impianti të vogël trajtimi me zgjidhje të bazuara në natyrë.
Shefi i EBRD-së në Kosovë, Sergiy Maslichenko, theksoi rëndësinë e këtij projekti:
“Jemi krenarë që vazhdojmë të mbështesim projektet kyçe të infrastrukturës në Kosovë. Kjo nismë përfaqëson një hap përpara drejt përmirësimit të trajtimit të ujërave të ndotura, duke adresuar një nevojë kritike për higjienë më të mirë dhe reduktimin e ndotjes mjedisore për mirëqenien e qytetarëve”, u shpreh Maslichenko.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, theksoi se qeveria e Kosovës ka ndërmarrë disa projekte për mbrojtjen e mjedisit dhe mirëqenien e qytetarëve, duke përfshirë projektet për trajtimin e ujërave të ndotura në Prishtinë, Ferizaj, Gjilan dhe Mitrovicë.
Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, vlerësoi ndikimin pozitiv të këtij investimi: “Ndërtimi i këtij impianti jo vetëm që do të sigurojë trajtimin e ujërave të ndotura sipas standardeve evropiane, por gjithashtu do të luajë një rol kyç në reduktimin e ndotjes së lumenjve dhe mbrojtjen e burimeve ujore.”
Ky projekt mbështetet gjithashtu nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA) me një grant prej 270,000 eurosh për përgatitjen e projektit. EBRD do të ndihmojë gjithashtu në sigurimin e granteve shtesë për të bërë këtë investim më të përballueshëm për qeverinë e Kosovës./Katror.info