Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” ka vazhduar iniciativën për shpërndarjen e librave nëpër komuna, duke dhuruar kësaj radhe një kontingjent të ri në Gjakovë. Bibliotekës komunale “Ibrahim Rugova” iu dorëzuan 87 tituj dhe 1097 ekzemplarë librash, të përzgjedhur nga fondi i Shtëpisë Botuese “Rilindja”, shkruan Katror.info.
Ky donacion ka për qëllim të mbështesë shkollat dhe nxënësit e nivelit parauniversitar, ndërsa shpërndarja e librave në bibliotekat shkollore do të realizohet përmes bibliotekës komunale.
Ndër librat e dorëzuar gjenden edhe dy botime me rëndësi të veçantë për ruajtjen e kujtesës historike:
- Kujtesa e Kosovës: Rrëfime të 100 pleqve e plakave të Kosovës
- Kujtesa e Kosovës: Rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe
Shpërndarja e librave do të vazhdojë edhe në komuna të tjera të vendit, si pjesë e përpjekjeve të Bibliotekës Kombëtare për të fuqizuar qasjen në libra dhe literaturë të vlefshme në të gjitha rajonet e Kosovës./Katror.info