Me rastin e Ditës Botërore të Librit dhe të Drejtës së Autorit, Biblioteka Kombëtare e Kosovës (BKK) do të hapë një ekspozitë të veçantë me rreth 100 tituj librash nga zhanre të ndryshme, shkruan Katror.info
Përmes një njoftimi në rrjetin social “Facebook”, BKK ka bërë të ditur se qëllimi i kësaj ekspozite është të promovojë trashëgiminë letrare dhe kulturore që ruan Biblioteka si dhe të nxisë interesimin e publikut për lexim dhe respektimin e të drejtave të autorëve.
“Ekspozita do të qëndrojë e hapur në ambientet e Bibliotekës Kombëtare për vizitorët dhe lexuesit një javë, duke filluar nga data 23 prill 2025. Ftojmë të gjithë të interesuarit ta vizitojnë ekspozitën dhe të zbulojnë tituj të veçantë nga letërsia vendore dhe ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.
Kjo nismë është një ndër aktivitetet e shumta që BKK ndërmerr për të promovuar kulturën e leximit dhe për të kujtuar rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave autoriale, në një kohë kur teknologjia dhe rrjetet sociale po ndikojnë dukshëm në mënyrën se si konsumojmë dhe ndajmë përmbajtje letrare./Katror.info