Të hënën ka nisur një fushatë për bojkotimin e marketeve të mëdha në Kosovë, si pasojë e rritjes së çmimeve të ushqimeve dhe produkteve të tjera.
Kjo fushatë, që do të vazhdojë edhe gjatë fundjavës më 15-16 shkurt, është organizuar nga Xhevat Kastrati, i cili ka thënë se ajo ka ardhur si rezultat i rritjes drastike të çmimeve në vitet e fundit dhe mashtrimeve që ndodhin me çmimet për disa produkte të caktuara. Sipas tij, iniciativat e ngjashme në rajon kanë ndikuar gjithashtu në ngritjen e shqetësimeve për këtë çështje, përcjell Katror.info.
Më 10 shkurt, rreth 10,000 qytetarë i janë bashkuar bojkotit, sipas organizatorit. Fushata ka për qëllim kërkimin e uljes së çmimeve të ushqimeve bazike dhe disa kërkesa të tjera, përfshirë një investigim të thelluar nga mediat dhe organet kompetente për mashtrimet me çmime. Gjithashtu, kërkohet një rregullim ligjor për çmimet përmes aplikimit të ligjit për çmimet tavan dhe një transparencë më të madhe për qytetarët lidhur me lëvizjen e çmimeve.
Përkrahje për këtë fushatë ka dhënë edhe Selatin Kaçaniku, drejtor i Shoqatës “Konsumatori”, i cili ka theksuar se kjo është një iniciativë e duhur për të adresuar çmimet spekulative që kanë shqetësuar qytetarët për 25 vite me radhë. Kaçaniku ka shprehur besimin se ky bojkot mund të sjellë rezultate, duke theksuar rëndësinë që ka populli si sovran dhe konsumator taksapagues për të udhëhequr ndryshimin, duke e kërkuar mbështetje nga institucionet dhe qeveria.
Në ndërkohë, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), inflacioni mesatar për vitin 2024 është regjistruar në 1.6%, krahasuar me 4.9% në vitin 2023 dhe 11.6% në vitin 2022. Paga mesatare në Kosovë për vitin 2023 ka qenë 506 euro neto, me paga më të larta në sektorin publik (630 euro) dhe më të ulëta në sektorin privat (459 euro).
Në vitin 2022, Qeveria miratoi Ligjin për Çmimet Tavan në Produktet Bazë, por ky ligj u shpall i pavlefshëm nga Gjykata Kushtetuese në nëntor 2023 pas padisë nga opozita. Gjithashtu, deficiti tregtar për dhjetorin e vitit 2024 ka qenë 17.5%, ku eksporti ishte 69 milionë euro dhe importi arriti në 631.1 milionë euro./Katror.info