Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të Letrës së Qëllimit për projektin e pagesave të shpejta (Instant Payment) – TIPS Clone, e organizuar në kuadër të Takimeve Vjetore 2025 të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore (BB).
Ceremonia shënoi një hap të rëndësishëm në zhvillimin e sistemit rajonal të pagesave të shpejta, me nënshkrimin e Letrës së Qëllimit ndërmjet Bankës së Italisë, Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, si dhe bankave qendrore të Shqipërisë, Malit të Zi, Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Maqedonisë së Veriut.
Ky dokument përbën vazhdimësinë e marrëveshjes së nënshkruar në janar të këtij viti, me përfshirjen këtë herë edhe të Bankës Qendrore të Maqedonisë së Veriut.
Banka e Italisë, me miratimin e Këshillit Drejtues të Bankës Qendrore Evropiane (BQE), po zhvillon sistemin TIPS Clone për të mundësuar infrastrukturën e pagesave të shpejta të Eurosistemit edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën.
BQK vlerëson se ky projekt është një nga iniciativat më të rëndësishme infrastrukturore dhe strategjike të saj, në përputhje me objektivat dhe Planin Strategjik të institucionit.
Ky partneritet me Bankën e Italisë cilësohet si një moment historik për Kosovën, duke e vendosur atë në rrugën drejt përdorimit të një sistemi të avancuar dhe të besueshëm të pagesave, që aktualisht operon në nivelin më të lartë të Eurosistemit.
Në të ardhmen, pritet që përfitimet e këtij projekti të zgjerojnë mundësitë për anëtarësimin e Kosovës në SEPA (Single Euro Payments Area).
BQK ka shprehur mirënjohje ndaj Bankës së Italisë dhe bankave qendrore të rajonit për mbështetjen dhe bashkëpunimin në këtë nismë strategjike, ndërsa ka theksuar se zhvillimi i sistemit nga ekipi profesionist i Bankës së Italisë do të jetë faktor vendimtar për suksesin e projektit.
Në përfundim, BQK ka theksuar përkushtimin e saj për të avancuar sektorin financiar përmes projekteve konkrete që sjellin përfitime për bizneset, qytetarët dhe ekonominë, duke e konsideruar bashkëpunimin ndërkombëtar si thelbësor për arritjen e këtyre objektivave./Katror.info