Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka publikuar parashikimet e saj për inflacionin në vitin 2025, duke vlerësuar se norma e përgjithshme pritet të jetë rreth 1.8%, shkruan Katror.info.
Sipas raportit të saj tremujor për ekonominë, BQK thekson se çmimet e ushqimeve në tregun vendor mbeten një ndër faktorët kryesorë që ndikojnë në inflacion. Megjithatë, rënia e pritshme e çmimeve të ushqimeve në tregjet ndërkombëtare mund të ushtrojë presion për uljen e inflacionit.
“Presionet inflacioniste në çmimet e ushqimit në tregun vendor mbeten një nga faktorët kryesorë përcaktues të ecurisë së inflacionit; megjithëse, rënia e parashikuar e çmimeve të ushqimeve në tregjet ndërkombëtare mund të ushtrojë presion për rishikim të inflacionit për poshtë”, thuhet në raportin e BQK-së.
Pavarësisht këtyre parashikimeve, BQK paralajmëron se inflacioni mund të ndikohet nga faktorë të jashtëm, si tensionet gjeopolitike, kufizimet tregtare dhe kushtet klimatike, të cilat mund të krijojnë luhatje në çmime dhe të sfidojnë stabilitetin ekonomik të vendit./Katror.info