Kapiteni i Dritës, Rron Broja, ka shprehur besim dhe vendosmëri para ndeshjes së kthimit ndaj skuadrës së fuqishme daneze, Copenhagen, duke thënë se një përmbysje e rezultatit do të shkruante histori për klubin gjilanas dhe për vetë futbollin e Kosovës.
Skuadrat takohen sot në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Në ndeshjen e parë në Danimarkë Copenhagen ka fituar me rezultat 2-0.
Broja e ka pranuar se përballja do të jetë jashtëzakonisht e vështirë, por ka thënë se skuadra nuk ka rrugë tjetër përveçse të japë gjithçka në fushë.
“Do të jetë shumë vështirë, duke e ditur me kë do të përballemi, që ta përmbysim rezultatin. Nuk kemi rrugë tjetër, duhet të provojmë t’i befasojmë, të japim maksimumin. Nëse do të arrijmë ta përmbysim këtë rezultat, do të jetë histori për futbollin e Kosovës, për Dritën. Jam optimist dhe nesër do të shohim”, ka deklaruar ai.
Broja e ka vlerësuar lartë edhe paraqitjen e skuadrës në ndeshjen e parë, duke thënë se Drita ka bërë një lojë të mirë, por fati nuk ka qenë në anën e saj.
“Na pret një ndeshje shumë e vështirë kundër skuadrës së Copenhagenit, një ekip mjaft cilësor. Ndeshjen e kaluar besoj se e kemi dhënë maksimumin tonë. Na ka munguar pak fati, sepse mund të merrnim më shumë. Shpresoj që nesër mbrëma të na kthehet pak fati dhe të arrijmë një rezultat sa më pozitiv”, ka shtuar ai, shkruan RTK./Katror.info