Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të certifikojë sot rezultatet e zgjedhjeve të përgjithshme të mbajtura më 9 shkurt, duke hapur rrugën për formimin e institucioneve të reja.
Certifikimi i rezultateve vjen pasi kanë përfunduar të gjitha afatet ligjore për shqyrtimin e ankesave nga subjektet politike dhe kandidatët në Panelin për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) dhe në Gjykatën Supreme.
Një nga obligimet e Ligjit për Qeverinë është që anëtarët e Qeverisë aktuale që kanë fituar mandatin e deputetit duhet të japin dorëheqje para certifikimit të rezultateve. Megjithatë, në rast se kjo nuk ndodh, procesi ka një mekanizë automatik të tranzicionit.
Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), në një prononcim për Telegrafin ka shpjeguar se Ligji për Qeverinë e parasheh qartë se pas certifikimit të rezultateve, mandati i deputetëve të vjetër dhe i Kuvendit përfundon, ndërsa Qeveria kalon automatikisht në statusin e “Qeverisë në dorëheqje”.
“Neni 26 i Ligjit për Qeverinë e përcakton qartë që anëtarët e Qeverisë në detyrë, të cilët janë zgjedhur deputetë, duhet të japin dorëheqje nga posti ekzekutiv para certifikimit të rezultateve. Por, edhe nëse kjo nuk ndodh, certifikimi i zgjedhjeve sjell me vete edhe përfundimin e mandatit të deputetëve aktualë dhe e shndërron automatikisht Qeverinë në dorëheqje”, ka deklaruar Bugaqku.
Pas certifikimit, hapi i parë i procesit nuk është formimi i Qeverisë së re, por konstituimi i Kuvendit të ri. Presidentja e vendit duhet të thërresë seancën konstituive, e cila duhet të mbahet brenda 30 ditëve nga momenti i certifikimit. Gjatë kësaj seance, deputetët e rinj bëjnë betimin dhe zgjedhin kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit, duke hapur rrugën për proceset e tjera institucionale, përshirë formimin e Qeverisë së re./Katror.info