Shumica e turistëve mesdhetarë zgjedhin brigjet italiane të mbipopulluara, por sipas një artikulli të revistës prestigjioze “Journée Mondiale”, ata humbasin një nga mrekullitë më të veçanta të arkeologjisë europiane: Parkun Kombëtar të Butrintit, në Shqipërinë jugore.
Ky vend i shpallur trashëgimi botërore nga UNESCO daton mbi 2,500 vjet dhe mbart gjurmë të pandërprera të qytetërimeve që kanë ndërtuar historinë e Mesdheut: grekë, romakë, bizantinë dhe venecianë. Në një hapësirë të vetme, vizitorët mund të përjetojnë teatrin antik, banjot romake, bazilikën bizantine dhe fortifikimet veneciane – të gjitha pranë ujërave bruz të Jonit.
Ndryshe nga rrënojat e Italisë, ku biletat e hyrjes kushtojnë mbi 25 euro dhe vizitorët përballen me turma të pafundme, Butrinti ofron një eksperiencë më intime dhe me kosto shumë më të ulët.
Flamingot ecin mbi ligatinat e parkut, breshkat folezojnë pranë mureve bizantine, ndërsa mbi 246 lloje zogjsh e shndërrojnë këtë zonë në një thesar natyror përtej rëndësisë historike.
Mozaikët e lashtë, pagëzorja bizantine, si dhe amfiteatri që ende sot ka akustikë të përsosur, tregojnë se Butrinti nuk është thjesht një qytet i braktisur, por një dëshmi e gjallë e vazhdimësisë së kulturave.
Përveç historisë, zona ofron edhe plazhet e pastra të Ksamilit dhe ishujt e vegjël përballë tij, të krahasuar shpesh me Karaibet, duke e bërë këtë destinacion unik ku historia dhe natyra ndërthuren pa asnjë ndërhyrje komerciale.
Sipas revistës, Butrinti mbetet një ndër “sekretet më të mëdha të Mesdheut”, të gatshëm për t’u zbuluar nga udhëtarët që kërkojnë autenticitet, larg turmave dhe zhurmës së destinacioneve të zakonshme turistike./KultPlus/Katror.info