1. Tashmë duket të jetë koncensus i përgjithshëm se vendi shkon në zgjedhje parlamentare. Koncensusi është ndërtuar me besimin e përbashkët të partive parlamentare për pamundësinë që të krijojnë qeveri të re.
2. Zgjedhjet e reja jo domosdoshmërisht do të prodhojnë një gjendje të lehtë e as mund të garantojnë se pas zgjedhjeve partitë do të dakordohen për të formuar një qeveri të re në një afat të shpejtë. Kriza e tanishme mund të zvarritet edhe pas zgjedhjeve.
3. Partitë kanë interesat e tyre legjitime për apo kundër formimit të Qeverisë së re, por ato kanë poashtu obligim që përpjekja për interesat e tyre legjitime të zhvillohet në një kontekst që nuk i dëmton interesat thelbësore të vendit. Rreziqet imediate për interesat e vendit janë bllokimi eventual i financave publike dhe vendnumrimi karshi planit të rritës së BE-së.
4. Para se të marrin vendimin e përbashkët për zgjedhje të reja (e të shpallur nga presidentja e vendit) partitë politike duhet të adresojnë këto dy interesa thelbësore, pra buxhetin për vitin 2026 dhe partneritetin me Bashkimin Evropian të formuluar me Planin e rritës.
5. Buxheti i vitit 2026 në parametrat e sotëm zhvillimor- pa ndërhyrje drastike siç do të ishte ndonjë huamarrje e madhe- është i parashikueshëm dhe do të kishte pak ndryshime po të propozohej prej cilësdo parti. I miratuar gjatë kësaj jave buxheti i vitit 2026 mund të rishikohet para verës së ardhshme nga kushdo që ta formojë Qeverinë e ardhshme.
6. Ratifikimi i Marrëveshjes mes Kosovës dhe BE-së për Planin e Rritës do të ishte një akt koncensusi politik i cili shpërfaq koncensusin qytetar për reformim dhe integrim në BE. Ky do të ishte indikatori më i mirë i përcaktimit se pa marrë parasysh kush e formon Qeverinë e ardhshme , ekziston një pajtim i plotë për rrugën reformuese evropiane të Kosovës.
7. Kushtetuta dhe Ligji për Qeverinë jo vetëm që ua mundësojnë Qeverisë dhe Kuvendit që deri në fund të kësaj jave të marrin vendimet e duhura, por edhe i obligojnë ato që të zbatojnë detyrat e duke adresuar seriozitetin e gjendjes. Qeveria e tanishme me kapacitet të një Qeverie që nuk e ka marrë besimin për mandat të ri dhe nuk është zëvëndësuar nga një Qeveri e re ka aftësi ligjore për të propozuar projekt-ligjin e buxhetit për vitin 2025 dhe Kuvendi i cili është funksional deri në vendim shpërbërjeje ka mundësi dhe obligim përligje të tij. Në të njëjtën kohë, Kuvendi ka kapacitet të plotë të ratifikojë Marrëveshjen për Planin e rritës.
8. Arritja e një marrëveshje për shkuarje në zgjedhje të reja duhet të ndërlidhet me obligimin që kanë partitë politike që këtë ta bëjnë duke aprovuar buxhetin e vitit 2026 dhe duke ratifikuar Planin e rritës të BE-së.
9. Java ka filluar me një trajtim joserioz të gjendjes nga aktorët politikë dhe institucional. Çështja e dakordimit për pikat koncensuale nuk pret ditë. Aktorët politikë dhe institucional kanë mundësi që këtë krizë të zgjatur të vitit të menaxhojnë me seriozitetin e duhur brenda kësaj jave, duke prodhuar një koncensus të ri.
OpEd – Autor: Veton Surroi.













