Komiteti Ekzekutiv i Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG), në mbledhjen e mbajtur fundjavën e kaluar në Tiranë, ka caktuar komisionin koordinues për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030.
Komisioni udhëhiqet nga sekretari i përgjithshëm i ICMG-së, Iakovos Filipoussis, ndërsa president është emëruar Julian Pace Bonello nga Malta, i cili është edhe anëtar i KE të ICMG-së.
Anëtarë tjerë janë emëruar: Andre-Pierre Goubert (Francë), Amine Kouame (Maroko), Polivios Panayides (Qipro), Thomas Tokas (Greqi), Karla Sitiq (Kroaci) dhe Lucienne Attard (Malta).

Më 8 shtator u more vendimi që Kosova të organizojë Lojërat Mesdhetare 2030.
Të themeluara në vitin 1951, Lojërat Mesdhetare janë një ngjarje multi-sportive që zhvillohet çdo katër vjet me përkrahjen e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. Për herë të parë, Kosova do të jetë nikoqire e tyre në atë që do të jetë ngjarja më e madhe sportive e organizuar nga ajo deri më tani.
Më 8 shtator, Asambleja e Përgjithshme e Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG), e votoi kandidaturën Prishtina 2030, me 55 vota pro, tetë kundër dhe tri vota të pavlefshme, gjatë një takimi në qytetin grek Heraklion./Katror.info