Katër aktet e operës “Carmen” nga kompozitori francez Georges Bizet do të interpretohen sonte në Prishtinë, me pjesëmarrjen e rreth 200 artistëve nga Opera, Filharmonia dhe Baleti Kombëtar i Kosovë.
E organizuar nga Opera e Kosovës, “Carmen” – e bazuar në novelën e Prosper Mérimée – është një nga veprat më të njohura të muzikës klasike dhe realizmit operistik, dhe vazhdon të jetë ndër kryeveprat më të interpretuara në skenat botërore.
“Carmen” vjen për herë të parë në këtë formë madhështore në kryeqytetin e Kosovës, e cila shfaq historinë e një gruaje të lirë dhe të pavarur dhe lidhjen e saj dashurore, pasionante e destruktive me Don Jose. Opera shkrihet në gërshetimin e dashurisë, pasionit, lirisë, obsesionit dhe tragjedisë.
Carmen përbën një urë lidhëse midis traditës së opéra comique dhe realizmit apo verismo-s, që karakterizoi operën italiane të fundit të shekullit XIX. Muzika e Carmen-it është vlerësuar gjerësisht për brilancën e melodisë, harmonisë, atmosferës dhe orkestracionit, si dhe për mjeshtërinë me të cilën paraqiten emocionet dhe vuajtjet e personazheve.
Premiera jepet sonte nga ora 20:30, ndërsa repriza të enjten, më 24 korrik 2025./RTK/Katror.info