Bernard Challandes, trajneri i njohur zviceran që në të kaluarën ka drejtuar si Kombëtaren e Kosovës ashtu edhe atë të Armenisë, do të jetë i pranishëm në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, për ta ndjekur nga afër ndeshjen miqësore mes dy kombëtareve.
Takimi mes Kosovës dhe Armenisë do të zhvillohet të premten, dhe prania e Challandes e shton vlerën emocionale të kësaj përballjeje. Lajmi është konfirmuar nga kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, i cili ka bërë të ditur se Challandes është rikthyer në Kosovë me ftesën e tij personale.
“Me ftesën time, në Kosovë është rikthyer miku ynë i veçantë, Bernard Challandes. Ish-trajneri i Kosovës dhe më herët edhe i Armenisë do të jetë i pranishëm në ndeshjen miqësore mes dy kombëtareve që ai dikur i ka drejtuar me pasion dhe përkushtim. Kjo sfidë është më shumë sesa një ndeshje futbolli për të, është një rikthim emocional, një përballje me kujtimet dhe emocionet që e kanë shoqëruar në dy kapituj të rëndësishëm të karrierës së tij si trajner”, ka shkruar Ademi në Facebook.
Ai shtoi se Challandes ka pasur mundësinë të takohet me përzgjedhësin aktual të Kosovës, Franco Foda, si dhe me disa nga futbollistët e përfaqësueses, me të cilët ruan lidhje miqësore dhe respekt të ndërsjellë./Katror.info