Chelsea ka siguruar një vend në finalen e Kupës së Botës për Klube FIFA 2025, pas fitores 2-0 kundër Fluminense në gjysmëfinalen e zhvilluar në stadiumin “MetLife” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo fitore eliminon edhe përfaqësuesen e fundit nga Amerika Jugore nga ky edicion i turneut.
Skuadra braziliane, që kishte një seri prej 11 ndeshjesh pa humbje, nisi lojën me vetëbesim dhe mbrojtje të organizuar, por Chelsea kaloi në epërsi në minutën e 18-të. Një krosim i larguar nga mbrojtja përfundoi te Joao Pedro, i cili në ndeshjen e tij të parë si titullar realizoi ndaj ish-ekipit të tij, duke shënuar një gol të bukur pas një goditjeje precize.
Skuadra londineze, nën drejtimin e trajnerit Enzo Maresca, shtoi presionin, por ishte Fluminense që pati një rast të artë në fund të pjesës së parë – Hercules e kaloi portierin Robert Sanchez, por gjuajtja e tij u largua në vijën e portës nga Marc Cucurella.
Një moment i tensionuar ndodhi kur gjyqtari akordoi penallti për prekje me dorë nga Trevoh Chalobah, por pas rishikimit me VAR, vendimi u anulua pasi dora ishte në pozicion natyral.
Në pjesën e dytë, Chelsea vazhdoi dominimin dhe realizoi golin e dytë në minutën e 55-të pas një kundërsulmi të shpejtë: Cole Palmer gjeti Enzo Fernandez, i cili pasoi saktë për Joao Pedro, që realizoi dygolëshin personal ndaj ish-skuadrës.
Fluminense provoi të rikthehej në lojë me disa tentativa, përfshirë një goditje të Everaldo që u prit nga Sanchez, por pa sukses. Nicolas Jackson pati dy mundësi për të thelluar rezultatin për Chelsea, por nuk arriti të shënojë.
Me këtë fitore, Chelsea bëhet skuadra e parë finaliste dhe tani pret fituesin e përballjes mes Real Madrid dhe Paris Saint-Germain, për të mësuar kundërshtarin në finalen e madhe./Katror.info