Albian Gagica, autor i logos së 15 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ka shënuar një arritje artistike, meqë puna e tij është çmuar edhe në nivel ndërkombëtar.
Logo e 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës ka siguruar një çmim prestigjioz nga Connecticut Art Directors Club (CADC), organizatë e komunitetit krijues në Connecticut, ka njoftuar Gagica, në një postim që shpërndarë edhe nga Ministria e Kulturës.
“Faleminderit @theCadc për njohjen e punës sime. Çmimi i Argjendtë për brendimin e 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. të ngremë dolli për artin, dashurinë dhe lirinë, ” ka shkruar ai.
Qeveria e Kosovës pat zgjedhur propozimin e Gagicës për logon, me të cilën u përfaqësua Kosova në 15-vjetorin e pavarësisë së saj dhe shënimit të 25-vjetorit të Epopesë. Gagica duke folur për simbolikën e tyre, pat thënë se logoja e pavarësisë është moderne dhe në të janë përdorur ngjyra të ndryshme me domethënie të veçanta.
“Logoja është moderne, para se ta dizajnoj, kam shikuar disa logo që janë bërë më herët dhe të gjitha kanë qenë me ngjyrat e flamurit, që nuk ka diçka gabim, por kam dashur të bëj diçka më ndryshe, kam futur më shumë ngjyra, kam futur ngjyrën rozë për rolin e gruas në shoqërinë tonë, ngjyrat kuq e zi në mes të logos, flamuri i Kosovës dhe e gjelbra që simbolizon të ardhmen. Mendoj që ngjyrat janë të qëlluara”, u shpreh Gagica. /Katror.info