Çmimi i arit është rritur në një nivel të ri historik, duke arritur në 3,357 dollarë për ons të mërkurën, ndërsa investitorët po reagojnë ndaj pasigurive të krijuara nga përshkallëzimi i luftës tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës. Që nga fillimi i vitit, ari ka shënuar një rritje të ndjeshme prej rreth 33%.
Kjo rritje vjen menjëherë pas deklaratave të kreut të Rezervës Federale të SHBA-së, i cili paralajmëroi se politikat tarifore të ndërmarra nga Presidenti Donald Trump mund të sjellin një ngadalësim të rritjes ekonomike, rritje të çmimeve dhe rreziqe për rritjen e papunësisë.
Në kohë pasigurie ekonomike dhe tensione globale, ari vazhdon të shihet si një prej investimeve më të sigurta për tregjet financiare. Kjo e bën metalin e çmuar një zgjedhje të preferuar për investitorët që kërkojnë stabilitet.
Ndërkohë, administrata Trump ka mbrojtur qasjen e saj, duke theksuar se tarifat synojnë të rikthejnë prodhimin në vend, të krijojnë vende të reja pune për qytetarët amerikanë dhe të sjellin të ardhura miliardëshe për buxhetin federal nga taksat. Por investitorët dhe ekonomistët paralajmërojnë për pasojat e mundshme të kësaj lufte tregtare, që tashmë po ndihen në tregjet financiare./Katror.info