Danezi Peter Due nga Danimarka është emëruar si shefi i misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, ka njoftuar të enjten sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.
Due do ta pasojë Caroline Ziadehin nga Libani.
Guterresi e përgëzoi Ziadehin për “përpjekjet e përkushtuara për të çuar më tej paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe rajon, si dhe për udhëheqjen efektive të Misionit”. Ajo e kishte marrë drejtimin e UNMIK-ut në vitin 2021.
Sipas njoftimit të UNMIK-ut, Due sjell në këtë pozicion 30 vjet përvojë në paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.
“Që nga viti 2019, ai ka shërbyer si Drejtor për Azinë dhe Paqësorin në Departamentet e Çështjeve Politike dhe të Ndërtimit të Paqes dhe Operacioneve të Paqes. Më parë, ai ishte drejtor për Azinë, Lindjen e Mesme, Evropën dhe Amerikën Latine në Departamentin e Operacioneve Paqeruajtëse (2015-2019. Due shërbeu gjithashtu si përfaqësues i Sekretarit të Përgjithshëm dhe kryetar i Zyrës së Kombeve të Bashkuara në Beograd (2013-2015), dhe ishte zyrtar i Çështjeve Politike me UNMIK-un në Prishtinë. Në New York, pozicionet e tij kanë përfshirë gjithashtu Shef Zyre/Asistent Special i Nënsekretarit të Përgjithshëm për Operacionet Paqeruajtëse (2009-2013), Udhëheqës Ekipi për Afrikën Perëndimore (2008-2009) dhe Udhëheqës Ekipi për Evropën dhe Amerikën Latine (2008)”, thuhet në njoftim.
Në mbledhjen e tetorit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff Bartos, ripërsëriti thirrjen për mbylljen e UNMIK-ut, duke theksuar se s’ka krizë sigurie në Kosovë. /Koha/Katror.info











