Shkruan: Dea Venhari Dragaj, Dramaturge

Kur dëgjova se në kafe-galerinë që ne e quajmë thjeshtë „Hani “, do të hapet një ekspozitë me titullin “Menyja jam unë” / “I am the menu” nga dy artistë zviceranë (Sophie Nadler dhe Etienne Eisele) prita një ekspozitë që i përshtatet një kafe-galerie, një restorani, apo një qyteti që ka traditë shërbimet gastronomike dhe hotelierinë. Normalisht, do të prisja fotografi a vizatime të restoraneve, kafeneve e madje edhe të produkteve që mund të gjenden në një meny të zakonshme. Pritshmërisë sime të thjeshtë e bajate, iu afrua pak vetëm një fotografi me mbetjet e verës së kuqe në gotë, por edhe kjo ishte e realizuar në mënyrë tejet të veçantë dhe jashtë kornizave të thjeshtësisë. Ndërkaq, veprat tjera të ekspozuara ma zhdukën komplet përceptimin e kohës dhe hapësirës!

Gjeta veten para disa kurbave/lakimeve të mbështjellura me letër të kuqe me shkëlqim, që kishin për qëllim të na kujtojnë ambientet e kafeneve ose restoraneve me perde kadife. Mua më kthyen në vitet e ’90-ta! M’i rikthyen dhuratat e fundvitit të mbështjella me letër dekorative, ngrohtësinë që e gjeja te ngjyra e kuqe ende pa ia ditur mirë emrin dhe lumturinë naive që e ndjeja ende pa e ditur se bota është e komplikuar. Një shkëlqim në atë letër dekorative, jepte nuanca të artit futuristik. Mendja ime në sfond luante melodi nga këngët e bendit “Daft Punk”, që për mendimin tim do t’i shkonin shumë kësaj ekspozite. Për disa sekonda, shpirtërisht u gjenda në të kaluarën time dhe e ndjeva të ardhmen si të tashme. Si ka mundësi që një vepër aq e thjeshtë si në realizim ashtu edhe në domethënie, të na dërgojë në dy dimenzione tjera?! Kjo është bukuria e të bërit art dhe të menduarit ndryshe. Edhe gjëja më e thjeshtë merr kuptim dhe jep ndjesi pa u munduar shumë.
“Menyja” e Sophie dhe Etienne, si përfundim, qe e kundërta e një menyje të rëndomtë; mua më riktheu ngrohtësinë fëmijërore dhe më dha shpresën për shkëlqimin e së ardhmes. E këto dy gjëra do t’i zgjedhja në cilëndo “meny” të botës – rrallë ofrohen!
Ky artikull është publikuar në www.katror.info si mbështetje për platformen e kritikes artistike Hani i dy Robertëve











