Nga janari i këtij viti e deri më tani, në Kosovë janë konfirmuar gjithsejtë 5 raste të fruthit.
Sipas të dhënave të IKSHPK-së, Deçani është një nga tre komunat ku janë regjistruar rastet e fruthit, së bashku me Fushë Kosovën dhe Gjakovën.
Instituti thekson se, ndonëse rastet deri tani kanë qenë sporadike, është e domosdoshme që prindërit të sigurojnë vaksinimin e fëmijëve me dy dozat e vaksinës MMR për të parandaluar përhapjen e sëmundjes.
“Situata është nën monitorim të përhershëm të IKSHPK-së, dhe u bëjmë thirrje prindërve t’i vaksinojnë fëmijët sipas kalendarit të parashikuar”, thuhet më tej në përgjigjen e IKSHPK-së për Telegrafin.
Doza e parë e vaksinës MMR duhet të administrohet kur fëmijët arrijnë moshën 12 muajshe, ndërsa doza e dytë është e rekomanduar të merret në moshën 6 vjeçare.
“Kjo është rruga e duhur për të parandaluar ndonjë përhapje të përmasave më të madhe, meqë rastet deri më tani kanë qenë sporadike”, kanë thënë nga IKSHPK.
Vaksinimi është një masë kyçe në parandalimin e shpërthimit të fruthit në nivele më të larta, sidomos kur janë të pranishëm fëmijë të pambrojtur.
Për këtë arsye, prindërit inkurajohen që të respektojnë kalendarin e vaksinimit dhe të sigurohen që fëmijët e tyre të jenë të vaksinuar.
Fruthi, një infeksion viral i cili përhapet lehtësisht nga personi në person, mund të shkaktojë komplikacione serioze, veçanërisht te fëmijët e vegjël, dhe në disa raste mund të jetë fatale.
Megjithatë, vaksina MMR është një mjet efektiv për të parandaluar këtë sëmundje dhe për të shmangur shpërthimet masive.
Vaksina MMR, e cila mbron kundër fruthit, shytave dhe rubeolës, është në dispozicion që nga viti 1971./Katror.info